Botërori i Klubeve, Reali sërish pretendent në Abu Dhabi

05/12/2017 17:16

Reali i Madridit e ka fituar Botërorin e Klubeve dy herë në 3 vitet e fundit, por mbetet favorit për të ngritur lart trofeun sërish këtë muaj.

Turneu prestigjioz, që starton këtë të mërkurë me parakualifikueset, e vendos formacionin e “Los Blancos”-ve në një pozicion të qartë favoriti.

Skuadra e Zinedine Zidane do të zbresë për herë të parë në fushë më 13 dhjetor, menjëherë në gjysmëfinale, ku “galaktikët” shpresojnë se nuk do t’i lënë asgjë rastësisë, për të shfaqur diktatin e tyre më 16 dhjetor në Abu Dhabi.

Pikërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe u luajtën edhe edicionet e 2009-s dhe 2010-s, me formulën e zakonshme që do të arkivohet pas 4 vitesh, kur të marrë jetë formati “extra large”.

Në turnerun e këtij dimri do të sfidojnë njëra-tjetrën 6 përfaqësueset e po kaq Konfederatave, të cilëve u shtohen “padronët” e shtëpisë, që luajnë një ndeshje parakualifikuese me përfaqësuesen nga Oqeania.

Fituesit e Championsit dhe Kupës Libertadores, nga ku zakonisht del edhe fituesi, do të futen në skenë në fazën gjysmëfinale. Gremio ka treguar se është kërcënim real për ekipin “merengues”, edhe pse në 4 edicionet e fundit, amerikano-latinët kanë dështuar të shkojnë në finale.

Por “trikolori” i freskët i fitueses së Libertadoresit ka armët e duhura për të qenë një rival i denjë i Realit të Madridit.

Brazilianët do të luajnë në finale me fituesen e çiftit Pachuca-Wydad, me afrikanët e Kazablankës që janë vërtet një ekip kompakt.

Top Channel