Borxhi, portugezi që lumturon grekët

05/12/2017 10:27

Zgjedhja e portugezit Mario Centeno si president i ri i Eurogrupit ka sjellë buzëqeshje në Athinë. Jo vetëm mediet greke, por edhe ato të huaja nënvizojne se tashmë shtohen më shumë shpresat për lehtësimin e borxhit grek.

Dikur i quajtur “Ronaldo i ministrave të Financave të BE-së” nga ish-ministri gjerman, Wolfgang Schauble, sipas revistës “Der Spiegel”, Centeno, një ekonomist i diplomuar në Harvard është kandidati i pëlqyer i Kancelares Merkel për të udhëhequr organin më të fuqishëm të politikës ekonomike të BE-së, por përbën edhe një shpresë për qeverinë greke.

“Është një nder të jem presidenti i ardhshëm për shkak të rëndësisë së këtij grupi, i cilësisë së të gjithë kolegëve të mi, i rëndësisë së punës që kemi për të kryer gjatë viteve të ardhshme”, tha Mario Centeno, president i ri i Eurogrupit.

Sipas “Der Spiegel”, kryeministri grek Alexis Tsipras ishte shprehur disa ditë më parë me superlativa për Mario Centenon, duke theksuar se zgjedhja e tij në krye të Eurogrupit do të ishte shpresëdhënëse.

Në gusht të vitit që vjen përfundon programi i tretë i ndihmës për Greqinë dhe Athina do të duhet të dalë në tregje për të huazuar, e pikërisht në këtë moment në Eurogrup do të rindizet diskutimi nëse duhet të lehtësohet borxhi i saj kolosal, një zgjidhje për të cilën është shprehur dikur pozitivisht presidenti i ri.

“Ju gjithashtu do të siguroni një përfundim të qetë të programit grek dhe ne do të mbështetemi tek udhëheqja juaj në këtë sfidë, por edhe në sfida të tjera”, tha Pierre Moscovici, Komisioner i BE-së për politikat fiskale.

Përveç zgjedhjes së presdientit të ri, sipas ministrit grek të Financave, Athina ka dëgjuar në Eurogrup faktin që tashmë të gjithë e kanë pranuar, se për Greqinë ka filluar një kapitull i ri.

Top Channel