Bazeli U19 i Peços kualifikohet në Championsin e të vegjëlve

05/12/2017 16:25

Arjan Peço përmbyll me sukses fushatën e parë të fazës së grupeve të Champions League për ekipet e moshave U19, në krye të ekipit të akademisë zvicerane të Bazelit.

Bazeli U19 kryeson momentalisht grupin A, pas ndeshjes së 6 dhe të fundit në grup, në pritje të rezultatit të takimit tjetër mes Manchester United dhe CSKA-së së Moskës.

Zviceranët e vegjël numërojnë 3 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje në takimin e parë kundrejt anglezëve, nën drejtimin e trajnerit shqiptar Arjan Peço.

Ndeshja e fundit ndaj Benfikës U19 është mbyllur në barazim pa gola, por vlen të theksohet se ekipi i drejtuar nga shqiptari i mirënjohur ka gjetur gjithnjë në 5 takimet e tjera rrugën e golit.

Edhe pse humbi në takimin e parë ndaj United me rezultatin 3-4, në ndeshjen e kthimit ndaj tyre zviceranët triumfuan 2-1. Gjithashtu, në ndeshjen e parë ndaj Benfikës U19 u regjistrua sërish barazim, por 2-2. Përballjet ndaj rusëve të CSKA-së së Moskës U19 përfunduan 2-3 dhe 4-2, që të dyja në favor të akademisë së drejtuar nga Peço.

Top Channel