24 orët në vijim do të jenë të qeta, me reshje mesatare shiu kryesisht në Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Fier.

Instituti i Gjeoshkencës parashikon që rreziku nga përmbytja e lumenjve në të gjithë territorin do të ulet ndjeshëm. Prurjet e lumenjve do të kthehen në nivele normale dhe nuk parashikohen përmbytje.

Reshjet do të vijojnë sërish edhe në 24 orët e ardhshme, por do të jenë të kufizuara. Në zonat malore, kryesisht në veri dhe lindje të vendit, reshjet do të jenë në formë dëborë, shoqëruar me erë të lehtë.

Ndërkohë, në rrethe të ndryshme të vendit situata po shkon drejt përmirësimit. Në Lushnje uji ka filluar të tërhiqet në lumenj, ndërsa 7 mjete po punojnë për hapjen dhe pastrimin e kanaleve.

Me tërheqjen e ujit do të nisë pastrimi i të gjithë tokave që u përmbytën përgjatë 3 ditëve. Në Fier, 3 hidrovore po punojnë me kapacitet të plotë duke pompuar 100 m3 në sekondë, ndërsa nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike.

Sipas raportit të Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave civile pranë Kryeministrit, shqetësim mbetet ende Lumi Vjosë, pasi prurjet janë ende mbi nivelin kritik, por gjatë ditës ato pritet të bien nën këtë nivel.

Edhe njolla e kuqe, ajo e rrezikut, në hartë është zvogëluar shumë duke mbetur e tillë vetëm në Fier dhe Vlorë.

Sipas bilancit paraprak të gjendjes, rezulton se janë evakuuar 590 familje, 1552 persona janë shpëtuar, ndërsa janë dëmtuar mbi 4700 banesa dhe 41 biznese si dhe janë përmbytur 10622 hektarë.

Nga reshjet intensive të 3 ditëve të fundit, janë dëmtuar rreth 65 ura ndërsa Komiteti i Menaxhimit të Emergjencave Civile ka bërë një vlerësim paraprak të të gjithë infrastrukturës së dëmtuar për të nisur fazën e likuidimit të pasojave.

Top Channel