Kufiri me Malin e Zi, qeveria e Kosovës me nismë të re në Parlament

04/12/2017 18:43
Shpejtim Bulliqi, kreu i Komisionit te ri Shteteror per Kufirin

Kosova bën hapa për t’i dhënë fund ngërçit të demarkacionit. Në mbledhjen e qeverisë u vendos që marrëveshja për kufirin me Malin e Zi të shkojë për votim në Kuvend.

Asaj do t’i bashkëngjiten edhe përfundimet e Komisionit të ri Shtetëror për Kufirin, i cili arriti në përfundimin se ujdia e nënshkruar në vitin 2015 ka cënuar tërësinë territoriale të Kosovës.

Sipas këtij komisioni, marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015 për kufirin me Malin e Zi, e ka cënuar tërësinë territoritale të Kosovës.

Megjithatë, qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar qëndrim të njëjtë lidhur me përfundimet e raportit të komisionit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ishte ai që kërkoi krijimin e një komisioni të ri për të hulumtuar e argumentuar lidhur me ato që beson se janë parregullsi në marrëveshjen me Malin e Zi, tha se raporti ishte i besueshëm e profesional.

Por zëvendësi i tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj këmbëngul se përfundimet e Komsionit të ri vetëm sa e kanë ndërlikuar situatën, duke mos paraqitur fakte dhe argumente bindëse, që vërtetojnë se marrëveshja ka qenë e dëmshme apo e gabuar.

Partia Demokratike e Kosovës mbështet ratifikimin e Demarkacionit sipas marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015, kurse partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në favor të gjetjeve të Komisionit, të cilat me vet faktin që konstatojnë parregullsi, nxisin deputetët që të mos e ratifikojnë marrëveshjen.

Kurse në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë ratifikimin, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votojë pro saj. Analisti politik Imer Mushkolaj, i cituar nga “Radio Europa e Lirë”, konsideron se raporti i ish-komisionit të drejtuar nga Murat Meha do të dërgohet në Kuvend për votim, kurse ai i komisionit të ri, i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, do të merret për bazë vetëm në aspektin e informimit për deputetët.

Top Channel