Drama pas përmbytjes; banorët presin dëmshpërblimet

04/12/2017 11:51

Zonat më të prekura nga përmbytjet ishin njësitë administrative mes Ferit dhe Vlorës. Në fshatin Fitore 50 banesa vazhdojnë të jenë të përmbytura. Kamera e Top Channel ishte mes banorëve që tregojnë për dëmet që pësuan.

Fitore, Vlorë
50 banesa në fshatin Fitore të njësisë administrative të Novoselës gjenden ende nën ujë. Në ditën e tretë të përmbytjes, disa banorë janë kthyer në shtëpi kanë nisur pastrimin.

Por shumë të tjerë nuk kanë patur edhe aq fat. Uji nuk është tërhequr ende nga të gjitha shtëpitë dhe me nivelin që arriti gjatë fundjavës në 1 metër e gjysmë, të pakta janë mundësitë që rrjedha t’u ketë kursyer çfarë kanë pasur brenda.

Ndërkohë, mësuesit e fshatit po pastrojnë shkollën.

Povelçë, Fier
Në zemër të katastrofës që shkaktoi Vjosa në fundjave ishte fshati Povelçë, i njësisë administrative Dërmenas.

Dëmet janë të mëdha në bagëti, prodhime bujqësore dhe ushqim për kafshët. Fermerët thonë se bagëtitë që i shpëtuan përmbytjes shumë shpejt do të ngordhin, pasi nuk kanë ushqim.

E njëjta situatë ishte këtë të hënë edhe në fshatrat e njësive administrative Frakull, Levan dhe Dërmenas të rrethit të Fierit.

Lunxhëri, Gjirokastër
Përgjatë luginës së Drinosit në Gjirokastër, duke filluar nga fshati Vrisera e deri në tokat e fshatit Mashkullorë janë 5 mijë hektarë tokë nën ujë. Tërheqja e ujit sjell momente dramatike. Të paktën 50 fermerë në Lunxhëri po llogarisin dëmet në vreshta dhe plantacione.

Dëmet e shkaktuara janë pasojë e çarjes së argjinaturës së shtratit të lumit Drino në dy vende. Banorët kanë frikë se me këtë dem, do të mjaftojë pak shi normal për t’u përmbytur sërish.

Moravë, Berat
300 familje në fshatin Moravë pranë Lumit Osum nuk mbajnë mend sa kohë kanë që përmbyten dhe thonë se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë. Reshjet e 1 dhjetorit në këtë fshat të Beratit u shkatërruan shtëpitë, por dhe të mbjellat.

Ish-Këneta, Durrës
Edhe në zonën e ish-Kënetës në Durrës, përmbytjet përsëriten sa herë ka reshje si këto të 3 ditëve të fundit. Por një prej banorëve thotë se është hera e parë që përmbytja shkakton kaq shumë dëmtime në banesa.

Pas kthimit në shtëpi, banorët i kanë sytë nga dera, në pritje të komisioneve të vlerësimit që t’ju bëjnë bilancin e dëmeve.

Top Channel