BSH organizon seminarin e Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore

04/12/2017 18:37

Banka e Shqipërisë organizon në dy ditë, datat 4 dhe 5 dhjetor workshop-in e 11-të të Kërkimeve Ekonomike për Europën Juglindore. Ky seminar, i organizuar për të njëmbëdhjetin vit radhazi nga Banka e Shqipërisë, ka për qëllim të nxisë diskutimin dhe promovimin e kërkimit ekonomik, si dhe bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore.

Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të bankave qendrore evropiane të rajonit, akademikë nga universitete dhe institucione financiare ndërkombëtare si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë. Gjatë punimeve dyditore, pjesëmarrësit do të prezantojnë 29 punime kërkimore shkencore, nga të cilat 13 i përkasin punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Workshop-i organizohet në sesione të veçanta, të ndara sipas temave kryesore që dominojnë debatet ekonomiko-politike dhe akademike në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut qendror. Të pranishmit në këtë konferencë kanë mundësi të paraqesin gjetje të reja kërkimore, duke shkëmbyer pikëpamjet e tyre, si dhe të diskutojnë për zhvillimet kryesore në tregjet e parasë, zbatimin e politikës monetare, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe aspektet operacionale të bankave qendrore.

Punimet e seminarit u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili theksoi se temat që do të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve synojnë të trajtojnë sfidat e ndryshme që rrjedhin nga zhvillimet e fundit ekonomike, në rajon dhe më gjerë. Në këtë drejtim, Guvernatori shtoi se duke marrë në konsideratë ngjashmërinë e vendeve të ndryshme, aktivitete të tilla të cilat nxisin bashkëpunimin kolektiv mbeten të një rëndësie të veçantë.

Guvernatori Sejko, gjatë fjalës së tij, u shpreh se nga një këndvështrim strategjik, qëllimi kryesor i kërkimit ekonomik është të ofrojë një bazë të fortë konceptuale dhe empirike për politikëbërjen. Ai nënvizoi se kërkimi ekonomik në Bankën e Shqipërisë, ashtu si në bankat e tjera qendrore evropiane, është një funksion mjaft i rëndësishëm, i cili ka provuar të jetë i suksesshëm në mbështetje të proceseve të formulimit dhe zbatimit të politikës monetare. Më konkretisht, kërkimi ekonomik ka dhënë kontributin e tij nëpërmjet ofrimit të metodologjive të reja të bazuara në modele empirike, të cilat janë përvetësuar si instrumente standarde të analizës dhe parashikimeve të politikës nga departamentet e tjera si politika monetare, stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, etj.

Sejko u shpreh se institucioni që ai përfaqëson, vlerëson se kërkimet e cilësisë së lartë çojnë në besueshmëri më të madhe, përmirësojnë cilësinë e politikave, si dhe rrisin kontributin potencial të bankës në tregjet financiare, në ekonomi dhe në shoqëri, ndaj për këtë arsye është e rëndësishme që bankat qendrore të zhvillojnë aktivitete të tilla.

Top Channel