Impianti i Bovillës ka nisur të funksionojë që në orët e para të mëngjesit .Niveli i turbullirës nga 13 mijë ka mbërritur në 350, duke bërë që pas filtrimit uji të dalë i pastër higjenikisht dhe sipas parametrave të duhura.

Aktualisht impianti i Bovillës po punon me 60% të kapacitetit të tij ,ndërkohë që në orët në vazhdim pritet përmirësim i situatës dhe po kështu furnizimi i plotë i banorëve me ujë të pijshëm.

Sipas specialistëve kjo situatë u krijuar për shkak se thatësira e kësaj vere e kishte ulur ndjeshëm nivelin e ujit në liqenin e Bovillës i cili është i ekspozuar edhe ndaj erozioneve të Tokës, ndaj dhe uji arriti të turbullohej në këto nivele.

Në Bovillë ka qenë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Veliaj,

“Tirana do të kthehet në normalitet. Një pjesë e qytetit tashmë është stabilizuar. Na kanë ngelur dhe 4-5 lagje të tjera dhe besoj se përpara se të mbyllet dita sot, do të kemi stabilizuar gjithë situatën e ujit në Tiranë. Dua t’ju shpjegoj që filtrat e Bovillës filtrojnë ujin dhe në momentin që uji është i gjithë me llucë, ato bllokohen. Bllokimi i një filtri të Bovillës shkakton një muaj ndërprerje me ujë të Tiranës. Kemi vendosur diçka të vështirë, por diçka të drejtë”, tha Veliaj.

Por reshjet e dendura të dy netëve më parë përveç dëmit që shkaktuan duke ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për një ditë, kanë çuar në nivele të kënaqshme ujin e dy burimeve siç janë Selita dhe Shën Mëria nga ku furnizohet një pjesë e mirë e Tiranës.

Dhe rritja e nivelit të ujit do të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm edhe për zonat që furnizohen nga këto dy burime.

Kryetari i bashkise sqaroi se Portat e Bovillës as janë hapur dhe vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, pasi vendimi për hapjen e digës merret nga administratori i shoqërisë, i cili sipas detyrimit ligjor njofton zyrtarisht edhe kryetarin e bashkisë së Kamzës.

“Ne të gjithë e kuptojmë që Bovilla nuk është hapur, se që të hapet, së pari duhet të kapë nivelin maksimal, që ende s’e ka kapur. Së dyti, ka një protokoll ku i pari që njoftohet është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Kamzës, kështu që nuk mund të jetë hapur pa kaluar protokolli në këto dy bashki. Së treti, edhe nëse hapet, nuk kalon fare në anën tjetër të Tiranës, sepse kemi një lum që na ndan në mes. Le të mos hapim panik. Ata që menaxhuan shtetin shqiptar dhe dështuan në mënyrë mizerabël vitet që ndodhi kjo katrahurë në Shqipëri me ndërtimet dhe me shërbimet publike, s’kanë të drejtë të flasin tani”, tha më tej Veliaj.

 

Top Channel