Në Shijak mbi 20 banesa që ndodhen pranë lumit Erzen janë përmbytur. Si rezultat i reshjeve të vazhdueshme, ujërat kanë vërshuar brenda banesave, ndërsa Ujësjellës-Kanalizimet Durrës njoftoi dhe për probleme në furnizimin me ujë të pijshëm të kësaj zone.

Po në Durrës, banorët në Manzë banorët raportojnë në Top Channel se prurjet e ujit kanë qenë aq te forta sa kanë shembur edhe një shtëpi, që sipas tyre i përket një plake të vetmuar, që tashmë nuk ka më ku të jetojë.

Në Pogradec uji ka depërtuar në disa banesa dhe biznese, ndërsa në Korçë, ku pritet rëndim i situatës në fushën e Maliqit, raportohen probleme në aksin Lozhan-Moglicë ku reshje të dendura kanë sjellë bllokim të rrugës si pasojë e rrëshqitjes së gurëve. E njëjta situatë është në aksin Bilisht-Kapshticë.

Edhe në Gjirokastër Lumi Drino ka përmbytur qindra hektarë tokë dhe pjesë të qytetit janë nën ujë, ndërsa aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit.

Në Skrapar përroi i Guakut ka shtuar prurjet duke rrezikuar të dalë nga shtrati.

Në veri të vendit probleme ka dhe në disa akse të thella në zonën e Dukagjinit, ku ka pasur rrëshkitje dherash nga rrjedhat e përrenjve.

Qyteti Shkodres vazhdon të mos ketë furnizim me ujë të pijshëm. Nga Hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës po bëhen shkarkime të kontrolluara rreth 200 m3 në sekondë, ku është hapur deri në njëfarë mase vetëm njëra nga portat.

Në Dibër përroi i Peshkopisë ka dale nga shtrati. Një familje në rrezik u evakuua për t’u strehuar në konvikt.

Në Bulqizë, në lagjen Allmete, uji i përroit ka dalë nga shtrati duke rrezikuar shtëpitë përreth. Në Rrugën e Arbrit, prane Vajkalit ka rrëshkitje gurësh dhe ujë.

Ndërkohë lumi Devoll dhe përrenjtë kanë izoluar Njësinë Administrative Lenie. Në Gramsh e në Librazhd shumë zona mbeten pa energji elektrike dhe prania e gurëve dhe ujit në disa akse bëri që Ministria e Brendshme t’u bëjë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme qoftë me makinë, e qoftë në këmbë.

Top Channel