Moti i keq, FSHF shtyn ndeshjet e inferiorëve. Superiorja, ndryshojnë oraret

01/12/2017 13:56

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të pezullojë shumicën e ndeshjeve të kampionatit për këtë fundjavë.

Për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe përmbytjeve në disa rrethe të vendit, sektori i garave në FSHF vendosi të shtyjë të gjitha ndeshjet e kategorive inferiore të parashikuara për këtë fundjavë.

Përjashtim bën Kategoria Superiore, e cila do të luhet sipas programit të paracaktuar, vetëm me një ndryshim: spostimin e ndeshjes Luftëtari-Flamurtari, për ditën e hënë.

Ky takim ishte përcaktuar për t’u zhvilluar ditën e shtunë, por situata e rënduar nga shirat në Gjirokastër e bën të pamundur zhvillimin normal të kësaj ndeshjeje.

Përballjet e tjera do të zhvillohen normalisht, Teuta-Kamza të shtunën në orën 14:00 dhe Skënderbeu-Kukësi po të shtunën në orën 17:00, ndërkohë ditën e dielë luhen Lushnja-Partizani dhe Vllaznia-Laçi në orën 13:00. Më pas, ditën e hënë luhet ndeshja e spostuar Luftëtari-Flamurtari, po në orën 13:00.

Top Channel