Liberalizimi i vizave, Haradinaj: S’kam ende datë. Presim raportin e komisionit

01/12/2017 13:41

Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë është shprehur se ende nuk ka një datë sa i përket liberalizimit të vizave, por sipas tij, Komisioni për Demarkacionin ka ardhur me gjetjet e veta dhe të hënën ky raport do të diskutohet në qeveri për të proceduar më tej.

Këto komente, Haradinaj i bëri teksa u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve lidhur me premtimin e dhënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë pas 3 muajve të qeverisjes së tij.

“Ka një dinamizëm dhe javën që vjen të shohim. Për temat që po flasim, rend e ligj, në luftën kundër korrupsionit, ju e dini që është një punë dinamike. Sa i përket Demarkacionit, do të shohim sesi do të procedojë javën që vjen. Komisioni ka ardhur me gjetjet e veta”, tha kryeministri.

“Ne besojmë se të hënën do ta diskutojmë në qeveri, pastaj e procedojmë më tutje. Nuk po jap datë menjëherë se kur, por jemi në pritje të konfirmimit për heqjen e regjimit të vizave. Po presim të hënën dhe të mos bëjmë përgjigje hipotetike”, tha Haradinaj.

Top Channel