Kubica: Ndihem gati. Edhe sikur të doja, nuk do garoja dot me një dorë

29/11/2017 14:16

Perspektiva e rikthimit nuk është më një ëndërr, por që kur u mbyll sipari i Botërorit në garën e Abu Dhabit, ajo është bërë edhe më konkrete.

Duket se ka 100 motive pozitive, ekzaktësisht sa xhirot që ka zhvilluar në pistë në testet e para të kësaj periudhe post-kampionati, që mund ta bëjnë optimist Robert Kubicën.

Tashmë për t’u bindur është vetëm skuderia Williams, e cila e di mirë se pas largimit të Felipe Massës nuk mund të gabojë më. Megjithatë, paradoksalisht dyshohet se nëse Massa do të vijonte edhe për një tjetër vit, ndërsa kanadezi Lance Stroll nuk do të konfirmohej për vitin e ardhshëm, ndoshta gjërat do të ishin më të lehta për skuderinë britanike.

Ndërsa në mendjen e polakut Kubica, dyshimet janë zhdukur tërësisht, e kur zbret nga njëvendëshja me të cilën po kryen testimet duket tejet i gëzuar dhe këtë nuk e fsheh.

“Ndihem gati për këtë sfidë, e nëse do të më njihnit mirë, do ta dinit se jam shumë kërkues dhe kritik ndaj vetes. Ndaj, kur them se ndihem gati, e them realisht. Nuk do të mund të gënjeja veten time dhe, edhe nëse do të më jepej mundësia të garoja në kampionatin e Formulës 1, nuk do ta bëja nëse nuk do të ndihesha në gjendje për ta bërë”, thotë piloti polak.

E për të sqaruar më tej, ai shton: Nuk dua të kthehem në F1 thjesht sa për të shtuar numrin.

Megjithatë, konfirmimin e dëshirës dhe fjalëve të tij nuk mund ta barazojmë edhe me rezultatet e kronometrit të treguar në ditën e parafundit të aktiviteteve të F1-shit për vitin 2017. Kjo për shkak se atij nuk i janë vënë në dispozicion gomat “hypersoft”, ato më të butat që po studiohen për sezonin e ardhshëm, madje as “ultra soft” me të cilat u garua të shtunën e kaluar në provat zyrtare për “pole position”. Koha e vendosur prej tij, 1 minutë, 41 sekonda dhe 296 të mijëtat është regjistruar me gomat e buta të versionit të vitit 2018.

Gjithsesi, Robert Kubica ndien se ka bërë një hap përpara. “Kjo ditë më solli përfitime sa më përket mua. Shpresoj që kështu të ketë qenë edhe për skuderinë. Nëse do të më pyesnit nëse kam pasur më shumë besim në mjetin tim 7 vite më parë, kur garova për herë të fundit në F1, do t’iu përgjigjesha po. Por kjo është thjesht çështje kohe”, shton më tej Kubica.

Top Channel