“Klasikja” për Kupën e Shqipërisë rikthen “Fanatics”-at në stadium

29/11/2017 18:32

Në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit është duke u luajtur takimi i parë i 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, mes Tiranës dhe Vllaznisë.

Dikur një “klasike” e futbollit shqiptar, tashmë ky duel vjen vetëm falë goglave të shortit në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në futboll, e për më tepër pas duelit për “jetë a vdekje” të zhvilluar javën e fundit të sezonit të kaluar në “Loro Boriçi”.

Asokohe, kuqeblutë shkodranë ndalnin në barazim pa gola bardheblutë e kryeqytetit, duke shkaktuar edhe rënien e këtyre në Kategorinë e Parë.

Duket se revanshi i shumëpritur prej kryeqytetasve ndaj shkodranëve ka rikthyer në stadium edhe tifogrupin “Tirona Fanatics” në mbështetje të lojtarëve të tyre, pse jo me synimin për të përsëritur suksesin e një viti më parë në Kupën e Shqipërisë.

Por gjithçka në këtë ndeshje ka nisur me kontestime ndaj arbitrit Alla, për shkak të anulimit të një goli për bardheblutë, si pasojë e një ndërhyrjeje të gabuar të Sentamu, sipas gjykimit të tij.

Top Channel