Mund të jetë surpriza më e madhe në Botërorin e F1 dhe këtë e thotë një ekspert i “tërheqjes”: Ish-kampioni i Botës në Formula 1, Nico Rosberg shokon të gjithë tifozët e Lewis Hamilton me deklaratën e tij, kur theksoi se britaniku po mendon seriozisht tërheqjen nga ky kampionat.

“Për mendimin tim, Hamilton po mendon largimin nga garat e Formula 1”, tregon Rosberg në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

“Gjatë këtij viti, teksa bisedonim ai më tha se nuk ka më atë dëshirë të madhe për të kaluar shumë kohë duke udhëtuar. Nuk do të ma kishte thënë këtë frazë nëse ai nuk do të mendonte për largimin nga F1. Duke parë që ky kampionat është bërë shumë i gjatë, bëhet i vështirë qëndrim i në të”.

Hamilton që në 7 janar do të festojë 33 vjetorin e tij të lindjes, ka në palmaresin e tij 4 tituj botërorë të Formula 1, i fundit ai i fituar këtë vit. Nuk do të jetë aspak një surprizë nëse ai vendos që të braktisë këtë kampionat vitin e ardhshëm, pasi të ketë fituar ndoshta edhe titullin e pestë për pilotë.

Të largohesh nga një botëror si fitues nuk është aspak e lehtë, por duke parë që kontrata e Hamilton skadon në vitin 2018 dhe deri tani ai nuk e ka rinovuar atë, atëherë mundësia e tërheqjes së tij nga F1 nuk mbetet në kuadrin e hipotezave.

Top Channel