E hëna e fundit e këtij nëntori mund të futet në historinë e statistikave si një “ditë e zezë” për trajnerët italianë. Pas Montellës dhe Bucchit, edhe Gianni De Biasi humbet rolin e tij në krye të pankinës së Alavesit.

Ka qenë pikërisht klubi spanjoll, Deportivo Alaves, që ka komunikuar përmes një njoftimi zyrtar shkarkimin e ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare.

Ai u thirr në detyrë në kërkim për të rifutur ekipin e La Ligës në rrugën e duhur për mbijetesën mes më të mirëve, pas një nisjeje jashtëzakonisht të keqe të këtij sezoni, por edhe ai nuk ka mundur të bëjë gjë në këtë drejtim, duke regjistruar 6 humbje në 8 ndeshje të zhvilluara.

Në këto takime, skuadra e drejtuar prej De Biasit ka shënuar vetëm 7 gola dhe ka pësuar 16 të tillë. Fatale për fatet e teknikut italo-shqiptar kanë rezultuar dy humbjet e fundit radhazi me Getafen dhe Eibarin.

Alaves, pas një sezoni të mrekullueshëm të zhvilluar vjet, që e përfundoi me 55 pikë në La Liga dhe vetëm një hap larg rekordit të vitit 1999-2000, ndërkohë që humbi finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës me rezultatin 3-1, tashmë gjendet në vendin e fundit të La Ligës dhe e distancuar me 6 pikë nga vendi i 4-t nga fundi i mbajtur nga Deportivo La Coruna.

Kjo, gjithsesi nuk është eksperienca e parë e De Biasit në kampionatin spanjoll, teksa ka drejtuar më parë edhe Levanten në sezonin 2007-2008. Edhe atëherë gjërat nuk i shkuan më mirë sesa tani: trajneri italian u shkarkua, ndërsa Levante zbriste nga kategoria në fund të sezonit.

Top Channel