Pep Guardiola fut Manchester City në histori

27/11/2017 15:42

Manchester City po ecën me ritme të shfrenuara në këtë sezon në Premier League. Viktima e fundit e skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola ishte Huddersfield, të cilën Citizens e mposhti me rezultatin 2-1 në një ndeshje ku ajo e pa veten në disavantazh në pjesën e parë.

Është hera e parë që nga viti 1995 që Manchester City arrin të fitojë një sfidë, duke përmbysur rezultatin e pjesës së parë në 45 minutat e dyta. Suksesi me Huddersfield ishte i 11-ti radhazi për Cityn, që tashmë ka një avantazh prej 8 pikësh me rivalët e qytetit, Manchester United.

Duke analizuar 13 ndeshjet e Manchester City, kjo skuadër ka regjistruar statistika, të cilat nuk gjejnë krahasime me kampionatet e tjera të rëndësishme në kontinentin evropian.

Manchester City ka bërë startin më të mirë të sezoni në historinë e Premier League, me 37 pikë nga 39 të mundshme duke vendosur edhe avantazhin e dytë më të thellë me skuadrën që e ndjek. Në të njëjtën kohë Manchester City bëhet ekipi i parë anglez që fiton 11 ndeshje radhazi jashtë fushës së saj, ndërkohë që nuk njeh humbje në 26 ndeshje në të gjitha aktivitete.

Herën e fundit që Manchester City ka ndjerë shijen e humbjes ka qenë në muajin prill në ndeshjen gjysmëfinale të FA Cup ndaj Arsenalit, me Topçinjtë që fituan me rezultatin 2-1.

Top Channel