Në ditën që Alaves shkarkoi Gianni De Biasin nga detyra e trajnerit pas vetëm 7 ndeshjes në krye të skuadrës, Armand Duka foli në Top Story në lidhje me ish-trajnerin e Kuqezinjëve.

Duka thotë se vazhdon të komunikojë akoma me të.

“Vazhdojmë të kemi komunikim të vazhdueshëm dhe para se të firmoste me Alaves, kam marrë një mendim nga ai. Gjatë ndeshjes me Turqinë kemi folur vazhdimisht në Ëhats App. I pëlqeu shumë ndeshja në Turqi, i pëlqeu loja dhe rezultati. De Biasi ka lënë gjurmë dhe do të mbetet në histori gjithmonë”, deklaroi ai në intervistë me Sokol Ballën.

Duka thotë se Shqipëria u penalizua në dy takimet me Italianë nga pesha e fanelës, ndërsa gabimi i madh ishte humbja ndaj Izraelit në Elbasan Arena.

“Me italianë vuajtëm peshën e fanelës, mos ta kishim vuajtur, do të kishim ndryshe pikë. Gabimi ishte tek ndeshja me Izraelin”, u shpreh ai.

Por a është Panucci trajneri i duhur për të arritur objektivat e FSHF-së?

“Ekipi Kombëtar është një institucion solid, që pavarësisht ndryshimit të emrave në stol, është një ekip që mund të shkojmë më larg. Nuk shkojmë kundër ndonjë kundërshtari si inferiorë. Panuccin e zgjodhëm pasi menduam se ekipit i duhej një dorë e hekurt, një njeri energjik dhe që nuk kënaqet me pak”, deklaroi ai.

Top Channel