Vetëm barazim me Valencian, Barça ‘qan’ gabimin e arbitrit

26/11/2017 22:43

Valencia dhe Barcelona kanë ndarë nga një pikë, në sfidën mes vendit të parë dhe të dytë të La ligës. Skuadra e Marcelinos, ndalet kështu pas 8 fitoresh radhazi në kampionat, ndërsa Barça merr barazimin e dytë sezonal. Vlen të përmendet se të dy skuadrat nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes, në këtë sezon.

Në Mestalla, të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, me vendasit që kaluan të parët në avantazh dhe katalanasit që barazuan vetëm pak minuta para fundit të takimit.

Barcelona dominoi në pjesën e parë dhe arriti të dërgojë topin brenda vijës fatale të portierit Neto, por arbitrat e takimit nuk ishin të këtij mendimi dhe u bënë protagonistë të mosakordimit të një goli më se të rregullt.

Në pjesën e dytë, skuadra e Marcelinos gjeti e para avantazhin, në minutën e 60′ me anë të Rodrigos. Katalanasit shtuan presionin dhe arritën të barazojnë vetëm në minutën e 82-të, me anë të Jordi Albës. Mbrojtësi spanjoll shfrytëzoi mjaft mirë një asist perfekt të argjentinasit Lionel Messi.

Pas javës së 13, kreu i La Ligës mbetet i pandryshuar, ndërsa kanë përfituar 2 skuadrat e Madridit, që kanë ngushtuar diferencën me Barcelonën. Katalanasit kanë 35 pikë, të ndjekur nga Valencia me 31 dhe Real e Atletico Madrid, me 27.

Top Channel