Prishtina e Prizreni, votat me kusht shpallin sot fituesit

26/11/2017 11:59

Lidhja Demokratike e Kosovës e shprehu qartë pakënaqësinë me vendimin e Gjykatës së Lartë, që votat në Prishtinë e Prizren të mos rinumërohen, siç kishte kërkuar paneli i ankesave zgjedhore.

Në një deklaratë për shtyp, LDK-ja u përpoq të tregonte se askush nuk ka përse të frikësohet nga ky proces.

“Jemi duke shqyrtuar hapat që do të ndjekim më tej për të zbardhur të vërtetën e kutive të votimit, – thuhet aty. – Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund të gjitha rrugëve ligjore për të realizuar të drejtën tonë”.

“Qytetarët e kryeqytetit meritojnë të dinë të vërtetën në mënyrë që në 4 vitet e ardhshme të udhëhiqen nga një kryetar legjitim dhe të pakontestuar nga askush”, vazhdon deklarata.

Të shtunën, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e rinumërimit të votave në dy qytetet e kthyera në sheshbetejën e fundit të zgjedhjeve lokale. Me lëvizjen e saj, ajo miratoi në këtë mënyrë ankesën e Vetëvendosjes, ndërkohë që edhe koalicioni i organizatave joqeveritare që vëzhguan zgjedhjet, Demokracia në Veprim, e cilësonte pretendimin e rinumërimit si të pabazë e me potencialin e cënimit të integritetit zgjedhor.

Tashmë pritet numërimi i votave me kusht e atyre të dërguara me postë. Në Prishtinë janë 1.500 të tilla të panumëruara ende. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, avantazhin aktualisht në kryeqytet e gëzon kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, me rreth 240 vota më shumë sesa rivali i tij i LDK-së, Arban Abrashi.

Një situatë e ngjashme vihet re edhe në Prizren, ku luftojnë mes tyre Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes dhe Shaqir Totaj i PDK-së.

Top Channel