Juventusi i Allegrit u rikthye te fitorja, pasi mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Crotonen. Bardhezinjtë vinin në këtë takim pas humbjes së papritur në Xhenova, përballë Sampdorias dhe kërkonin patjetër 3 pikët, për të mbajtur hapin e Napolit kryesues.

Pjesa e parë u dominua nga bardhezinjtë, por goli erdhi vetëm në minutën e 52-të, me anë të kroatit Mario Mandzukiç, që sot luante në qendër të sulmit.

Vetëm 8 minuta më pas, ishte mbrojtësi i ardhur nga Milani, De Sciglio, që shënoi golin e dytë për Juventusin e Allegrit, ndërsa në minutën e 71-të, Benatia mbylli ndeshjen, duke shënuar golin e 3-të.

Pas 14 javësh, Seria A kryesohet nga Napoli me 38 pikë, i ndjekur nga Inter me 36 dhe Juventus me 34. Këtë të premte, bardhezinjtë do të udhëtojnë për në Napoli, për t’u përballur me skuadrën e Sarrit në “San Paolo”.

Top Channel