Arbitrat ‘korrigjojnë’ gafën e portierit të Valencias (Video)

26/11/2017 21:36

Kampionati spanjoll vuajti sot sërish mungesën e VAR-it, ose minimalisht të Goal Line Technology, ose teknologjisë së portës, që konfirmon nëse topi e ka kaluar vijën fatale apo jo.

Në sfidën mes kryesuesve të kampionatit, Valencia-Barcelona, arbitrat u bënë protagonistë negativë, duke mos akorduar një gol të Messit, ndonëse topi e kishte kaluar plotësisht vijën fatale.

Ylli argjentinas goditi nga distanca, por ishte një gafë në kontrollin e topit nga ana e portierit të Valencias, Neto, që bëri që topi të kalonte poshtëkëmbëve të tij dhe të hynte plotësisht në portë, para se të grushtohej nga ish portieri i Juventusit.

Katalanasit festojnë, por arbitrat nuk akordojnë golin, ndërkohë që Valencia shfrytëzon ‘festën’ e katalanasve, për të dalë në një kundërsulm të shpejtë, që për pak sa nuk solli golin e avantazhit për vendasit.

Top Channel