Sukaj: 3 pikët me Skënderbeun, na rikthejnë në garë

25/11/2017 07:50

Fitorja me Kukësin, është cilësuar si pikë kthese për sezonin e Partizanit, teksa sulmuesi shkodran i të kuqve, Sukaj kërkon një tjetër 3-pikësh përballë Skënderbeut, për t’u rikthyer në rrugën e duhur

“Të fitosh në Kukës është tepër e vështirë sepse pak ekipe marrin pikë aty. Ishte shumë e rëndësishme për ne duke pasur parasysh që ishim në pozitë të vështirë. Erdhi në momentin e duhur dhe shpresoj që kjo ecuri nga Kukësi të vazhdojë duke parë që tashmë luajmë me Skënderbeun. Kthesa në Kukës është një ogur i mirë për ndeshjen e ardhshme me Skënderbeun”.

Partizani kërkon të afrohet me kryesuesit dhe të kuqtë e kanë të qartë se fitorja ndaj korçarëve do të shërbente për të rihapur kampionatin.

“E bukura e kampionatit është që të hapet. Korçarët janë shumë përpara për aftësitë e veta. Është një shtysë e madhe për ne që të rikthehemi aty ku u nis ekipi në fillim, për të pretenduar. Me atë fitore që bëmë dhe me shpresë për një tjetër sukses besoj se do të rikthehemi”.

Pasi kaloi dëmtimin dhe është aktivizuar për disa minuta në ndeshjet e fundit me Laçin dhe Kukësin, Sukaj është gati të tërheqë sulmin e Partizanit.

“Kam dhjetë ditë që stërvitem me ekipin gjysmë i diferencuar, por besoj se ndaj Skënderbeut do të jem në dispozicion. Shpresoj, me ndihmën time dhe të gjithë ekipit të arrijmë pikët maksimale”.

Sulmuesi iu drejton edhe një apel tifozëve që të vazhdojnë ta mbështesin skuadrën për të kaluar momentin ku ndodhen.

“Tifozët e dimë që janë mërzitur me ne, sepse kur e nis ekipin për titull edhe jemi në këtë gjendje, besoj se kanë të drejtë. Iu bëj thirrje që të vijnë, jo nga thirrja ime sepse ata e ndjekin Partizanin 60 vjet përpara se të flas unë, por shpresoj të jenë në stadium sepse ndihma e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne edhe në këtë moment që jemi”.

Top Channel