F1, Vettel lë pas Hamiltonin në sesionin e parë të provave të lira

24/11/2017 13:00

Fundjava e Çmimit të Madh të Abu Dhabit ka nisur nën shenjën e duelit të këtij viti mes Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton, që duket se nuk do të rreshtë edhe në këtë garë të fundit sezonale.

Piloti gjerman i Ferrarit e ka mbyllur në krye sesionin e parë të provave të lira në “Yas Marina”, duke regjistruar kohën 1 minutë, 39 sekonda dhe 6 të mijëtat, ndërsa kampioni i botës me Mercedesin, Hamilton pason me pak më shumë se një të dhjetën. Kohën e tretë më të mirë e ka shënuar Red Bulli i Verstappenit, ndërsa shumë më mbrapa janë Raikkonen dhe Bottas, dy finlandezë që garojnë për dy skuadrat rivale të këtij viti.

Gara e fundit e këtij sezoni mund të jetë një tregues i qartë i asaj që pamë gjatë të gjithë botërorit të Formulës 1, por edhe një e dhënë për atë që mund të na presë edicionin e ardhshëm. Nga njëra anë, Vettel kërkon ta mbyllë sa më mirë këtë vit sa pozitiv aq edhe për t’u keqardhur, ndërsa nga ana tjetër, Hamilton kërkon të lërë pas shijen e hidhur të mungesës në podiumin e Interlagosit, një garë më parë, pavarësisht se titullin kampion e ka siguruar prej javësh.

Top Channel