UEFA e vëzhgon, Ceferin: Jam i shqetësuar për Milanin

23/11/2017 13:15

Milani pret sonte Austrinë e Vjenës për ndeshjen e radhës të Ligës së Europës, por nga Niani nuk mbërrijnë lajme të mira.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin konfirmoi lajmin e publikuar disa ditë më parë nga “Marca” në Spanjë në lidhje me pozicionin e institucionit që drejton ndaj padronëve të rinj të “Kuqezinjve”.

“Jemi duke punuar dhe vëzhguar pronësinë e re, por për momentin nuk mund të them më shumë. Megjithatë, unë s’e fsheh që personalisht jam shumë i shqetësuar, por të presim se çfarë do të ndodhë”, tha ai në një intervistë për “La Repubblica”.

Shefi i qeverisë europiane të futbollit tha se për këtë do të mblidhet në mes të dhjetorit organizimi përkatës dhe do të dalë me përfundimet e veta sa i takon respektimit të rregullave të “Fair Play”-t financiar.

“Nuk duhet të tregohemi të paduruar, por nuk përjashtoj asnjë opsion, as sanksionet sportive”, deklaroi Ceferin.

Top Channel