Trump e kalon Ditën e Falenderimeve në “Mar a Lago”

23/11/2017 12:33

Presidenti Donald Trump ka mbërritur në Florida për të kaluar Ditën e parë të Falenderimeve të tij në detyrë, por ai do ta kalojë atë ndryshe nga presidentët e tjerë, në rezidencën e tij në Mar a Lago, rrethuar nga familja dhe ushqimi.

Familja e parë do ta festojë Ditën e Falenderimeve si pjesa tjetër e Amerikës, sipas Shtëpisë së Bardhë. Por festimet e Trump, sidoqoftë, do të jenë një aferë luksoze, në klubin e tij të dedikuar vetëm për anëtarë të privilegjuar, në Palm Beach, rrethuar nga dekorime të arta dhe shandanë të kristaltë.

Ditën e Falenderimeve, vitin e shkuar familja Trump ka pasur në tryezë një total prej 24 pjatash, me gjithçka përmban festa tradicionale në meny, që nga gjeli i detit i pjekur e deri tek ëmbëlsira me kungull.

Por ndërsa ka një lloj zakoni të Ditës presidenciale të Falenderimeve, si për shembull falja e një gjeli deti dhe ndarja e ushqimit me familjen, paraardhësit e Trump kanë pasur edhe traditat e tyre unike në këtë festë.

Presidenti Barack Obama zgjidhte ta kalonte Ditën e Falenderimeve me familjen e tij në rezidencën e tyre në Shtëpinë e Bardhë, ku ëmbëlsira e preferuar e Obamës ishte me bollëk, në të paktën 6 shije të ndryshme.

Familja Obama, gjatë Ditës së Falenderimeve zgjidhte edhe të bënte punë vullnetare në strehat për të varfërit, duke shërbyer për të pastrehët dhe veteranët. Presidenti George W. Bush e kalonte Ditën e Falenderimeve në zyrë, ose në fermën e tij në Teksas. Bushët preferonin një meny më jugore.

Në axhendë, për çdo ish-kryekomandant, kjo ditë kishte një falenderim për trupat amerikane që shërbejnë jashtë vendit, përmes një telefonate apo edhe personalisht.

Në vitin 2003, presidenti Bush habiti botën kur bëri një udhëtim të papritur në Bagdad për të vizituar trupat në kulmin e luftës.

“Thjesht po kërkoja një vakt të ngrohtë, diku”, bëri shaka Bush para ushtarëve, duke shtuar se “nuk mund të mendoj një grup më të mirë miqsh për të darkuar”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka thënë asnjë fjalë nëse Trump do të bisedojë me trupat gjatë ditës, por sidoqoftë, në fjalën e tij zyrtare me rastin e kësaj feste, Trump falenderoi trupat dhe veteranët për shërbimin e tyre. Shtëpia e Bardhë dhe vet Trump përmes “Twitter”-it kanë thënë vetëm se, gjatë qëndrimit të tij në Florida presidenti do të punojë.

Top Channel