NBA, Oklahoma ndal Golden State. Cavaliers kthehen te fitorja

23/11/2017 13:21

Oklahoma City ndal vrullin e Golden State, duke ndërprerë serinë e 7 fitoreve radhazi të kësaj të fundit. Në “Chesapeake Arena”, Thunders ndëshkuan rëndë kampionët e NBA-së, duke i mundur me rezultatin 108-91.

Oklahoma e vuri shumë shpejt në diktatin e saj këtë ndeshje, duke e mbyllur pjesën e parë 65-48, ndërkohë që në fundin e periodës së tretë, diferenca me Warriors shkoi deri në 26 pikë.

Russel Westbrook ishte thjesht i papërmbajtshëm në këtë përballje, duke e mbyllur sfidën me 34 pikë, 9 asiste dhe 10 topa në tabelë, ndërkohë që dhanë kontributin e tyre në parket edhe Carmelo Anthony me 22 pikë, Paul George me 20 pikë e 11 topa në tabelë, si dhe Adams me 14 pikë.

Për Golden State nuk mjaftuan 24 pikët e Stephen Curry dhe 21 të Kevin Durant, që u vërshëllye gjatë të gjithë kohës nga tifozët e Oklahomës, për të evituar këtë disfatë.

LeBron James “merr përdore” Cleveland dhe e udhëheq drejt fitores në sfidën ndaj Brooklyn Nets, me rezultatin 119-109. “The King” shënoi 33 pikë në këtë sfidë për nënkampionët e NBA-së, 23 nga të cilat vetëm në periodën e katërt. Ishtë pikërisht 12-minutëshi i fundit, kur Cleveland bëri diferencën në parket për të fituar këtë përballje.

San Antonio Spurs dorëzohet pa kushte ndaj New Orleans. Pelicans e mbyllën këtë ndeshje me rezultatin 107-90 dhe të mendosh që ishte San Antonio, ai që e nisi më mirë këtë sfidë, duke marrë një avantazh prej 10 pikësh.

Davis me 29 pikë e 11 topa në tabelë dhe Cousins me 24 pikë e 15 topa në tabelë ishin protagonistët e suksesit të New Orleans. Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Miami ndal Bostonin 98-104, duke ndërprerë serinë e 16 fitoreve radhazi të Celtics; Houston mundi Denver në “Toyota Center” 125-95, ndërsa Dallas fitoi me Memphis 95-94.

Top Channel