Kryeprokurori i ri, Minxhozi: Mesazhi i amerikanëve, s’ka Vetting me Llallën

23/11/2017 21:27

Sot për herë të parë Lulzim Basha artikuloi kundërshtinë totale, siç tha ai, ndaj mazhorancës për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri, qoftë edhe atë të përkohshëm në mbarim të mandatit të Adriatik Llallës, i cili duket se mori një vulë zyrtare një ditë më parë nga OPDAT dhe Euralius.

Të ftuar në Top Story për të diskutuar për këtë debat të fundit në arenën politike shqiptare janë Skënder Minxhozi, Agron Gjekmarkaj, Arjan Vasjari dhe Alfred Lela.

Analisti Skënder Minxhozi shprehet se ajo çfarë po kërkon SHBA, është vijimi i procesit të Vettingu-t pa kryeprokurorin aktual Adriatik Llalla, të cilit i përfundon së shpejti edhe mandati.

“Amerikanët japin mesazhet që nuk mund të ketë Vetting me zotin Llalla. Unë kështu e lexoj. Mandati i tij duhet të mbyllet”, u shpreh Minxhozi.

Ndërsa për Arjan Vasjarin debati nuk është për zëvendësimin e Llallës, por tashmë kutia e Pandorës është hapur dhe skandalet nuk mund të fshihen më.

“Argumentet e deritanishme, ne duhet të futemi në logjikën e reformës së re në drejtësi. Ne kemi arritur një fitore të madhe dhe duhet të shkëputemi njëherë e mirë nga ideja që Kryeprokurorin e ka përcaktuar njëra palë dhe tani ta përcaktojë pala tjetër. Tashmë kutia e Pandorës është hapur dhe skandalet nuk mund të fshihen më. Për mendimin tim nuk ka shqetësim do iki apo do qëndrojë zoti Llalla”, u shpreh Arjan Vasjari.

Ndërkohë që Alfred Lela shprehet se Opozita ka të drejtën e saj të ngrejë zërin për parametrat e zgjedhjes së Kryeprokurorit.

“Diskutimi është për parametrat e zgjedhjes, kush e zgjedh, kush janë kandidaturat. Në këtë aspekt opozita ka të drejtën e saj”, tha Lela.

Në lidhje me akuzat e fundit e opozitës për për publikime të pritshme të fakteve që komprometojnë së paku dy bashkiakë të tjerë të Partisë Socialiste, Lela shprehet se situatën në terren e paraqet më së miri prania si rrallë më parë në studiot televizive të gazetarëve të kronikës.

“Ka qenë një stinë lajmesh të forta e zhvillime intensive. Vendin kryesor në studion televizive e kanë zënë gazetarët e kronikës së zezë, ata që mund të interpretojnë më mirë këtë, janë gazetarë që merren me prokurorinë, policinë. Kjo tregon shumë. Ky interpretim takohet me atë që ndodh në terren. Lidhet edhe me deklaratat e fundit, një prej të cilave edhe ajo e ambasadorit të SHBA në OSBE”, tha Lela.

Ndërsa Agron Gjekmarkaj vlerëson se deklaratat e Bashës për zgjedhjen e Kryeprokurorit janë si një kopje e Ramës vite më parë.

Top Channel