Kalendari Kombiar, ribotohet në përvjetorin e 105 të Pavarësisë

23/11/2017 20:44

Një nga veprat më madhore të Rilindjes Kombëtare, Kalendari Kombiar, ribotohet në katër vëllime me rastin e 105 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Botuesi, Fondacioni ALSAR e prezantoi atë para studiuesve, duke kujtuar kështu një grup intelektualësh të rëndësishëm rilindës, si Kristo Luarasi, Kosta Trebicka, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri e bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm.

“Kalendari pati një rrugëtim të gjatë e të vështirë një nga periudhat më të lavdishme historike. Ai i shërbeu një lëvizje të fuqishme intelektuale që kontribuoi në pasurimin e botës shpirtërore të shqiptarit”, u shpreh Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit, ALSAR.

I ftuar në këtë prezantim akademiku Rexhep Qosja, nuk mundi të ishte i pranishëm për shkak të gjendjes shëndetësore, por fjalën e tij përshëndetëse e mbajti drejtori i institutit të albanologjisë në Prishtinë.

“Ju po përuroni një vepër të madhe që kujtesës sonë të pakujdesshme, sidomos gjatë dy 20 viteve të fundit, po I kthen emrin botuesit të saj të merituar Kristo Luarasit, botuesit të saj të dytë Mit’hat Frashërit dhe një vargu dhe të tjerë”, u shpreh Hysen Matoshi, drejtor i Institutit të Albanologjisë.

Plot 3600 faqe në katër vëllime janë një tribunë e mendimit kombëtar të kohës. Në botim janë përfshirë alfabetet e dikurshme, apo pikturat dhe grafikat e asaj kohe.

“Fjalët kyçe të kalendarit janë: Komb; Mëmëdhe; Gjuhë Shqipe; Shkolla shqipe, pothuajse nuk ka numër të këtij organi që të mos trajtohet gjuha shqipe dhe shkollat shqipe”, tha Seit Mancaku, gjuhëtar.

Top Channel