“I ligu për mend”, me autor Gjergj Fishtën u ngjit të martën në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori Altin Basha, me trupën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përpunimi dramatik që ai i ka bërë veprës së Molierit, përshtatur me Shkodrën e viteve 20, është e gjitha një skenar ekzotik, por që ndeshi vështirësi në shquarjen e gjuhës shqipe.

“Vështirësia gjuhësore ishte një aspekt që fillimisht dukej si një gjë e tejkalueshme, por që në fakt kërkon një impenjim realisht shumë të madh”, thotë regjisori, Altin Basha.

Një vepër shqiptare në teatrin tonë, por e sjellë nga Prishtina, ngjalli edhe njëherë debatin pse në skënën tonë kombëtare mungon drama shqipe?

“Ky është një debat mes njerëzve, të cilët e vlerësojnë kulturën e tyre, e dëshirojnë kulturën e tyre, dhe njerëzve të cilët kanë fobi ndaj saj. në këtë mes ka snobizëm shumë, ka një inferioritet profesional, duke menduar që drama shqipe nuk të jep dot për të realizuar vepra të bukura apo regjisoralisht të arrira. Por mendoj që ky është një debat qesharak”, shton ai.

Përveç kësaj, Basha shprehet se nuk ka qenë aspak e lehtë që shfaqja të sillej në skenën e Teatrit Kombëtar, edhe pse kjo ndoshi në kuadër të kalendarit të përbashkët artistik Shqipëri-Kosovë.

“Ka pasur një vështirësi goxha të madhe për të arritur për të gjetur një datë të lirë, në teatrin Kombëtar të Tiranës për ta prurë shfaqen, paçka se dëshira nuk ka qenë shumë e madhe që kjo shfaqe të vijë në Tiranë, por jam i lumtur që erdhi”, shton ai.

Top Channel