Gjermani, memorial “armik” para shtëpisë së politikanit të “AfD”

23/11/2017 15:34

Një grup aktivistësh ndërtuan një kopje të memorialit të Holokaustit, para shtëpisë së një politikani të partisë së ekstremit të djathtë “AfD”, i cili tha se gjermanët nuk duhet të shlyejnë më fajin e nazistëve.

Por, grupimi artistik “Qendra për Bukuri Politike” vendosi 24 pllakata të mëdha betoni në oborrin e një shtëpie ngjitur me atë të Björn Höcke.

Anëtarë të grupit thanë se duan t’i kujtojnë atij përditë tmerret e Luftës së Dytë Botërore, që sollën shfarosjen e 6 milionë hebrenjve.

Pllakat e betonit janë kopje në miniaturë e memoralit të Holokaustit që gjendet në Berlin dhe që përbëhet nga 2.700 blloqe gri, për të krijuar idenë e një varreze.

Anëtari i partisë “Alternativa për Gjermaninë”, Björn Höcke shkaktoi mjaft polemika në janar, kur tha se memoriali ishte një monument i turpit në zemër të kryeqytetit dhe nxiti gjermanët që të mos mendojnë aq shumë për fajin e luftës.

Höcke nuk ka bërë asnjë koment për memorialin, por disa nga mediet që kanë lidhje me të djathtën ekstreme thanë se kjo është luftë politike.

Grupimi artistik, përgjegjës për këtë rreng, prej muajsh përpiqej të merrte me qira pronën pranë shtëpisë së Höcke dhe përmes grumbullimit të fondeve tashmë ka financa për ta mbajtuar atë për dy vite, me synimin për ta çuar deri në pesë.

Top Channel