Facebook i kërkoi ndjesë familjes së bosit të bosëve, Toto Riina, për heqjen e mesazheve të ngushëllimit, të hedhura në rrjetin social pas vdekjes së kryemafiozit.

Një zëdhënës i rrjetit social tha për “Associated Press” se, “postimet ishin fshirë gabimisht dhe tani janë publikuar përsëri”.

Menjëherë pas vdekjes së shefit të “Cosa Nostra”-s, qindra persona kishin përcjellë keqardhjen e tyre në faqen e Facebookut të djalit të tij, Salvo.

Me qindra ishin edhe klikimet “pëlqej” ndaj këtyre postimeve, ndërsa shumica e mesazheve kishin tone lëvduese e nuk i referoheshin imazhit kriminal të 87-vjeçarit.

Por kjo seri komentesh kishte shkaktuar ankesa të shumta nga përdoruesit e rrjetit social, e nga këtu nisën edhe sinjalizimet për “shkelje të standardeve të Facebookut”.

Gjiganti i platformave sociale shpjegoi se rregullat e tij nuk lejonin përmbajtje që shprehin mbështetje për krerët e organizatave me sjellje të dhunshme, aktivitete terroriste apo grupime kriminale.

Njeriu që i shpalli luftë shtetit pati urdhëruar më shumë se 150 ekzekutime. Beteja e Salvatore Riinës me forcat e rendit i kishte kushtuar jetën dy gjykatësve të lartë të Antimafies, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Por, pavarësisht të gjithave, deri në fund të jetës Riina nuk shfaqi kurrë ndonjë shenjë pendese.

Top Channel