45-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit, L. Rama: Duhet një i dytë

23/11/2017 14:05

Këtë vit shënohet 45-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili i mbajti punimet 20-25 nëntor 1972, në Tiranë.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama thotë se askush nuk u kujtua për këtë datë të rëndësishme të gjuhës shqipe, ndërkohë që sot ka lindur sërish nevoja për një kongres të atyre përmasave, për të reflektuar zhvillimet që ka pësuar gjuha jonë.

“Mirëpo, autoritetet shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë zgjodhën ta vrasin këtë ngjarje të madhe për kulturën dhe historinë tonë kombëtare me heshtje, më së pari si dëshmi e injorancës së tyre, që i komplekson deri në këtë shkallë, sa të na dëshmojnë se nuk kanë guximin as të flasin e jo më pastaj të ndërmarrin hapa për të realizuar nisma atdhetare e shkencore si Kongesi i Drejtshkrimit!”, shkruan Rama.

Rama thotë se është një sfidë që i takon shkencëtarëve e intelektualëve që kuptojnë rëndësinë e përmbushjes së sfidave të mëdha me interes kombëtar.

“Vlerësimi i Kongresit të Drejtshkrimit me realizëm e objektivitet për çfarë kontribuoi në zhvillimin e gjuhës shqipe, e bën të domosdosshme një nismë të atyre përmasave, për të reflektuar gjithë zhvillimet që ka pësuar gjuha jonë e proceset nëpër të cilat ajo ka kaluar në keta 45 vjet, prej Kongresit e tëhu. Eshtë një sfidë që i takon në rradhë të parë bashkësisë së punëtorëve të gjuhës shqipe, por edhe të gjithë shkencëtarëve e intelektualëve që dinë të kuptojnë rëndësinë që ka përmbushja e sfidave të tilla të mëdha e me interes kombëtar”, përfundon Rama.

Top Channel