Videoja dramatike e dezertimit të ushtarit koreano-verior

22/11/2017 09:41

Ushtari koreano-verior, që arriti disa ditë më parë të dezertonte e të hidhej në anën tjetër të kufirit, është kthyer sërish në vëmendjen e medieve botërore.

Shtypi i huaj publikoi pamjet filmike të largimit të tij dramatik. I riu pothuajse u kap nga trupat e Veriut komunist, të cilat e qëlluan disa herë. Edhe pse i plagosur, ai ia doli t’i afrohej tokës koreano-jugore, ku ushtarët e Seulit u zvarritën që ta tërhiqnin e ta largonin nga rrezja e plumbave, duke i shpëtuar jetën.

Pamjet i publikoi Komanda e Kombeve të Bashkuara në Seul, që deklaroi gjithashtu se, duke qëlluar mbi ushtarin përmes zonës së çmilitarizuar, kolegët e tij praktikisht kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit që ndaloi luftën mes dy Koreve.

Djaloshi te të 20-at mori 5 plumba, por gjendja e tij është stabilizuar dhe mjekët thonë se tanimë është i vetëdijshëm, ndonëse ende i dobët fizikisht.

Ata kanë parë të tronditur sesi zorrët e të riut ishin mbushur me parazitë, njëri nga të cilët 20 centimetra. Përpjekjet për t’u arratisur nga regjimet totalitare kanë shënuar gjithmonë viktima.

Plot 239 vetë vdiqën në përpjekje për të kapërcyer “Murin e Berlinit”. Të shumtë janë ata që u eliminuan edhe në Shqipërinë e periudhës së komunizmit, gjatë tentativave për të kaluar kufirin, 100 prej tyre vetëm në fillimin e viteve ’90.

Top Channel