Varroset Toto Riina

22/11/2017 16:06

Arkivoli i kryemafiozit sicilian Toto Riina, i ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare, mbërriti mëngjesin e së mërkurës në varrezat e Corleone-s nën masa të rrepta sigurie.

Varrezat qëndruan të mbyllura për publikun deri në mbrëmje. Arkivoli u fut përmes një hyrje anësore për të evituat gazetarët dhe fotografët e shumtë të pranishëm. Bekimi i thjesht dhe i shpejtë i një prifti i vuri kapakun parabolës së atij që konsiderohej si bosi i bosëve të mafias siciliane.

Riti ishte tërësisht familjar, me bashkëshorten Ninetta Bagarella dhe fëmijët. Emri i Toto Riina-s do të lidhet me disa prej masakrave dhe vrasjeve në historinë italiane. Sot, motra e një prej viktimave të Riina-s, gjykatësit Giovanni Falcone, flet për pengun e saj. “Pyeta që mbeti pa përgjigje ishte ajo që mund të na jepte Toto Riina rreth lidhjeve të mundshme mes mafies dhe politikës, që natyrisht ekzistonin. Shumë gjyqtarë kanë arritur në përfundimin se këto lidhje ishin reale edhe pse nuk ka prova për ta vërtetuar këtë.

Pino Maniaci është një nga ata gazetarë që ka denoncuar gjithmonë mafien. Me vdekjen e Riina-s, ai flet për një kapitull të mbyllur.

“Mbyllet një epokë. Me vdekjen e Toto Riina-s mbyllet historia e masakrave. Problemi qëndron te deklaratat që kemi dëgjuar këto ditë. Është shkatërruese të flitet ende për mafien, të mitizohet një përbindësh, pasi kjo është ajo që po ndodh. Po dëgjojmë të flitet për pasuesin e tij, për atë që do ta zëvendësojë Riina-n, në vend që të mbyllim kapitullin një herë e përgjithmonë me mafien.

Top Channel