Gjykata e Hagës jep sot njërin prej vendimeve më të pritura të saj, atë që do të caktojë nga tani e tutje fatin e komandandit të ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mladiç, njeriu që u kthye në njërin prej të arratisurve më të kërkuar të botës, përpara se të bënte llogaritë me drejtësinë.

I ashtuquajturi “kasapi i Ballkanit” përballet sot me gjykimin për masakrën më të madhe në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Mbi të rëndon akuza e gjenocidit në Srebrenicën e vitit 1995, gjenocidit në 6 komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, terrorizimin e banorëve të Sarajevës me fushatën e bombardimeve dhe goditjeve me snajper, si dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së.

Mladiç u arrestua në vitin 2011 pas më shumë se 15 vitesh arrati. Rreth 300 vetë janë ulur në bankën e dëshmitarëve gjatë procesit të tij, e gjykatës së OKB-së në Hagë i janë paraqitur gati 10 mijë prova.

150 përfaqësues të viktimave të luftës në Bosnje kanë mbërritur në Hagë që një ditë përpara, në pritje të një vendimi që do të ndikojë mbi jetët e të gjithëve. Shpresat e tyre janë që autori i aq shumë mizorive të dënohet për çdo akuzë të ngritur ndaj tij.

Të pranishëm do të jenë edhe i biri i Mladiçit dhe disa zyrtarë serbo-boshnjakë, por ata do të qëndrojnë në një zonë të shkëputur. Pavarësisht mizorive, për të cilat është drejtpërdrejt përgjegjës, gjenerali famëkeq vazhdon të shihet me admirim nga një pjesë e serbëve.

Vet presidenti serbo-boshnjak, Milorad Dodik, i cili dëshmoi në gjyq të martën, u shpreh një ditë më parë se Mladiç e drejtoi me profesionalizëm dhe patriotizëm ushtrinë serbo-boshnjake gjatë luftës, e shtoi se pavarësisht të gjithave, ai mes serbëve mbetet një legjendë.

Top Channel