Rusia, Turqia e Irani, angazhohen për paqen në Siri

22/11/2017 21:56

Presidentët e Rusisë, Iranit dhe Turqisë dolën me një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në zgjedhin e krizës së Sirisë.

Pas takimit trepalësh në Soci, organizatori i tij Vladimir putin tha se dokumenti përcakton bashkëpunimin e mëtejshme mes tre vendeve që kanë avantazhin e dukshëm në Siri dhe vendos detyra konkrete për të ardhmen.

“Diskutuam në detaje aspektet bazë të marrëveshjes për Sirinë dhe ramë dakord që të përpiqemi maksimalisht për detyrën kryesore që është vendosja e paqes dhe stabilitetit në Siri si dhe ruajtja e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të saj”, deklaroi Putin.

Presidenti rus tha se tre liderët ranë dakord që të punohet për datën dhe strukturën e një Kongresi të ardhshëm kombëtar sirian po në Soci me pjesëmarrje nga të gjitha palët e shoqërisë siriane. Në të njëjtin kuadër u shprehën edhe presidenti iranian Hasan Rouhani dhe ai turk Rexhep Taip Erdogan, të cilët falenderuan homologun e tyre rus Putin për nismën dhe mundësinë e krijuar për të arritur paqen në Siri.

Tre liderët thanë se përpjekjet e tyre do të bazohen mbi marrëveshjen e mëparshme të Astanës që solli mjaft progres në Siri. Ata gjithashtu u zotuan se do të përpiqen maksimalisht që angazhimit të tyre tre palësh t’i bashkohen sa më shumë shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare për të qenë një përpjekje gjithëpërfshirës për të arritur paqen në Siri.

Top Channel