Puna e papaguar, ndërtuesit e rrugës në protestë

22/11/2017 19:38

Përfaqësuesit e kompanive nënkontraktore të bypassit të Fierit dhe Vlorës dhe punëtorët e tyre protestuan për mos marrjen e pagave për punët e kryera në këto projekte.

Protesta e zhvilluar në Mbrostar vjen në një moment kur qeveria ka rihapur tenderin për vazhdimin e këtyre projekteve dhe largimin e kompanisë së “Serenisima”, e cila kishte kontratën fillestare. Ata thonë se nuk do të lejojnë asnjë firmë tjetër të nisë punimet nëse nuk do të paguhen.

“Ne kemi marrë over-draft për të paguar taksat. Jemi futur në borxhe me bankat për të paguar TVSH dhe tatimet. Qeveria nuk po e vë ujin në zjarr fare. Ne duam lekët”, shprehet një qytetar.

“Ne jemi qytetarë të këtij shteti janë gjithë këta punëtorë. Gjithë këto familje kanë ngelur në rrugë, nuk kanë të hanë bukë”, thotë një tjetër.

“Asnjë firmë nuk ka për ta marrë guximin për të ndërhyrë këtu mbi themelet tona. Të na paguajë lekët ne, pasi i themi faleminderit”, shprehet një tjetër banor.

Janë 600 punonjës të bypass-it të Fierit dhe 350 të bypassit të Vlorës që nuk kanë marrë pagat e 1 viti e gjysmë.

Protestuesit thonë se do të manifestojnë edhe para Kryeministrisë nëse zëri i tyre nuk dëgjohet. Në gusht u lajmërua prishja e kontratave me kompaninë italiane “Serenisima” për mospërmbushje të detyrimeve dhe rinisen procedurat e tenderimit. Për bypass-in e Fierit janë kryer 55 përqind e punimeve, ndërsa atë të Vlorës 12 përqind.

Top Channel