PSG pëson golin e parë në Champions, por i shënon 7 Celtic

22/11/2017 22:43

Paris Saint Germain padyshim që është një makineri golash, e kjo vërehet edhe golavarazhi i saj në Champions League, 24 të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar në 5 ndeshje.

7-1 kanë fituar parisienët në shtëpi kundër Celtic, të cilët pavarësisht se kanë pësuar 7 gola, duhet të ndihen krenarë sepse janë të vetmit që kanë shënuar në portën e mbrojtur nga Alphonse Areola.

Të parët që kanë shënuar kanë qenë miqtë që në minutën e parë të takimit, me anë të Moussa Dembele. Vetëm 8 minuta ka zgjatur edhe gëzimi i skocezëve, pasi pas minutës së 9-të, gjithçka ka folur për francezët.

Dy gola të Neymar, në të 9-ën dhe 22-ën, barazojnë dhe përmbysin rezultatin. Por lojtarët e PSG, nuk ndalen këtu. Në të 28-ën, Cavani, dhe në të 35-ën, Mbappe, mbyllën edhe pjesën e parë me rezultatin 4-1.

Në të dytën duhet të kalonin 30 minuta që të vinte goli i radhës, me anë të Marco Verrattit, e 4 minuta më pas Cavani shënon golin e dytë personal. Por ende pa marrë veten nga goli i gjashtë, Daniel Alves shënon edhe golin e shtatë e të fundit për PSG.

Ndërkohë që Bayern Munchen ka fituar në transfertën holandeze duke mposhtur Anderlecht 1-2 me gola të Lewandowskit dhe Tolisso. Ndërsa për vendasit shënoi Sofiane Hanni, i cili barazoi përkohësisht rezultatin në 63-ën.

Bayern dhe PSG kanë siguruar kualifikimin, por do të diskutojnë vendin e parë në Grupin B, më 5 dhjetor në Allianz Arena.

Top Channel