Kryeministri i Libanit pezullon dorëheqjen

22/11/2017 21:50

Kryeministri i Libanit Saad Hariri pezulloi dorëheqjen e tij, e cila shkaktoi një krizë serioze politike kur ai e shpalli atë dy javë më parë ndërsa ishte në Arabinë Saudite.

Hariri tha se vendosi ta shtyjë dorëheqjen, pasi këtë ia kërkoi presidenti Michel Aoun në pritje të konsultimeve të mëtejshme. Hariri dhe Aoun zhvilluan bisedime një ditë pasi kryeministri u kthye në Liban, madje u shfaqën edhe bashkë në paradën për ditën e Pavarësisë së vendit.

Hariri mohoi të ishte detyruar nga Arabi Saudite për të dhënë dorëheqjen dhe tha se kishte qenë një vendim i tij.

Shumë njerëz në Liban dhe jashtë tij besonin se Hariri u detyrua nga Riadi zyrtar të jepte dorëheqjen për të reduktuar ndikimin e Iranit dhe organizatës libanese Hezbollah. Por Hariri tha se pasi i paraqiti zyrtarisht Presidentit dorëheqjen, kreu shtetit i kërkoi të tregohej i duruar dhe të zhvillohen konsultime për arsyet e këtij hapi. Hariri tha se e respektoi kërkesën e presidentit, e cila sipas tij formon një bazë serioze për një dialog të përgjegjshëm.

Hariri theksoi se Libani duhet të respektojë politikën e tij neutrale përsa i takon luftërave, probleme rajonale dhe gjithçkaje tjetër që dëmtonin stabilitetin e tij të brendshëm, një referencë kjo për aktivitetet e organizatës Hezbollah, rivale politike e Haririt, por partnere në qeverinë e tij. Hezbollah është e përfshirë në luftime në Siri dhe Irak, si dhe armatos militantët palestinezë.

Top Channel