Kakà zbret në Milano, diskuton të ardhmen me kuqezinjtë?

22/11/2017 16:05

Diçka ka që e detyroi Kakànë të rikthehet në Milano, aty ku nuk ka sesi të mungojë një vizitë në “Casa Milan”, prania e të cilit është njoftuar përmes “Twitter”-it edhe nga klubi kuqezi.

Mbrëmjen e së enjtes do të jetë edhe në “San Siro” për të ndjekur ndeshjen e Europa League mes ekipit të Montellës dhe austriakëve të Austria Wien.

Ndoshta ky mund të jetë momenti i duhur për të diskutuar mbi një rol të mundshëm të yllit brazilian në shoqërinë me seli në rrugën “Aldo Rossi”. Ka qenë vet lojtari, që gjatë ditëve të kaluara nuk e ka fshehur gatishmërinë për të dëgjuar çdo propozim të mundshëm.

Dihet se ai mes Ricky Kakà dhe Milanit është një raport unik dhe special. Lojtari, i cili sapo i ka dhënë fund karrierës së tij në MLS me Orlandon, nuk i ka mbyllur dyert mundësisë që një ditë të jetë edhe trajner i Milanit.

“Pse jo, gjithmonë e kam pasur Milanin në zemër. Javët në vijim do të vendos se çfarë do të bëj në të ardhmen. Do të më pëlqente që të qëndroja në futboll, si trajner apo si drejtor sportiv. Për të qenë një trajner i madh më duhet ende punë”, ka thënë ai.

Top Channel