Corleone, në tokën e mafias. “Nuk jemi të gjithë mafiozë”

22/11/2017 20:11

Corleone, një qytezë me 11 mijë banorë në Siçili, u bë e njohur fillimisht prej romanit të Mario Puzzos, ku personazhi kryesor quhej Majkëll Corleone.

Romani u bë film, dhe filmi i Kopolës u bë kult. Në vitet ’80-’90 Korleone u bë e famshme si vendlindja e Toto Riinës dhe Bernado Provencanos, dy prej mafiozëve më gjakatarë në historinë e mafias siçiliane.

Toto Riina u varros aty ku lindi, në Corleone, por banorët thonë se janë lodhur nga lidhja që i bëhet mes qytezës me mafien. Dhe të paktën përpara kamerave të një televizioni të huaj, ata nuk hezitojnë ta dënojnë trashëgiminë e Toto Riinës.

“Jo të gjithë në Corleone janë mafiozë, edhe kur udhëtojmë jashtë vendit të shumtë janë ata që na identifikojnë me mafiozët. Mafia lindi këtu, por me kalimin e kohës brezat përmirësohen”, shprehet një vajzë.

“Sigurisht qe jemi mërzitur me lidhjen qe i bëhet Corleone me mafien. Me siguri qe mafia vazhdon te ekzistoje, por Corleone ka ndryshuar. Megjithatë vdekja e Toto Riinës nuk nënkupton vdekjen e mafias”, thotë një djalë.

“Do të ishte mirë të vinit këtu për të realizuar kronika për bukuritë e Corleone dhe jo të na kujtonin vetëm për gjëra të shëmtuara që fatkeqësisht ndodhin kudo. Identifikimi i tokës sonë me mafien është një iluzion i përkohshëm”, shprehet një tjetër banori i Corleone.

“Mafia nuk do të vdesë kurrë. Do të jetë gjithmonë dikush që do të përpiqet të behet shefi”, thotë një tjetër.

Top Channel