Berlusconi mbron kinezët e Milanit: Të përpiktë për çdo impenjim

22/11/2017 15:13

Pas sulmeve dhe dyshimeve të disa medieve të huaja ndaj pronarëve të rinj kinezë të Milanit, këtyre të fundit u ka dalë në mbrojtje Silvio Berlusconi.

Ish-presidenti i kuqezinjve, përmes rrjetit social Twitter është shprehur:

“Kur shitëm Milanin, Fininvest i besoi këshilltarëve, studiove ligjore dhe bankave të nivelit ndërkombëtar. Blerësit kinezë kanë respektuar gjithnjë me përpikmëri impenjimet që kanë marrë mbi supe, ndërsa një fond i rëndësishëm si ai Elliott ka mundur t’u garantojë atyre një hua domethënëse”, shkruan ish-padroni i “djallit kuqezi”.

Bersluconi nuk ka humbur rastin të flasë edhe për një tjetër çështje të rëndësishme, si pankina e Italisë.

“Ancelotti është një trajner i zoti, të cilit i dëshiroj gjithnjë më të mirën. Madje atë e konsideroj si të përshtatshëm për çdo lloj detyre. Për futbollin italian nuk ka nevojë për një formulë magjike. Duhet një punë e gjatë dhe e durueshme për të rindërtuar gjithçka, duke nisur nga ekipet zinxhirë, apo vlerësimi e besimi te të rinjtë”.

Sa i përket momentit të keq që po kalon futbolli italian në tërësi, ish-kryeministri shprehet:

“Italia nuk mund t’i lejojë vetes të mbetet për një kohë të gjatë jashtë të mëdhenjve të futbollit. Një kombëtare fituese duhet të jetë mjeti i duhur për të promovuar produktet ‘made in Italy’, qoftë për turizmin, për modën, por edhe për sistemin në të gjitha drejtimet”.

Top Channel