Tavecchio akuzohet për ngacmin seksual

21/11/2017 11:17

Telashet për Carlo Tavecchion nuk kanë të përfunduar. Ish-presidenti i Federatës italiane të Futbollit, “FIGC”, tani duhet të përballet me një akuzë edhe më të rëndë, atë të ngacmimeve seksuale.

Një prej drejtueseve sportive të këtij institucioni ka deklaruar se ka pasur dhunë morale dhe psikologjike nga ana e ish-kreut të qeverisë së futbollit italian, e tashmë e ka këshilluar avokatin e saj që të bëjë denoncimin në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas kësaj punonjëseje të Federatës, episodi ka ndodhur në zyrën e Tavecchios, ku ajo kishte shkuar për të diskutuar për çështje pune.

Sipas saj, Tavecchio, duke përfituar nga perdet e mbyllura i është afruar ndjeshëm, madje duke kryer edhe veprime të turpshme. Por jo vetëm kaq.

Punonjësja deklaron se ngacmimet seksuale të Tavecchios janë përsëritur dhe se ajo ka në zotërim disa video që e vertëtojnë këtë.

Një histori kjo që e bën eliminimin e Italisë të duket problemi më i vogël për Carlo Tavecchion.

Top Channel