“Victoria’s Secret” në Shangai, iu mohuan vizat Gigi Hadid dhe Katy Perry?

21/11/2017 14:20

Spektakli i sivjetshëm i “Victoria’s Secret” e la pa frymë Shangain. Modelet e mrekullueshme të saj pushtuan pasarelën gjatë një ekstravagance veshjesh intime, ku admirimin e pushtonin sa krijimet e fundit luksoze të firmës së famshme, aq edhe fiziku perfekt i engjëjve të saj.

Këtë herë vëmendjen e medieve e pushtoi në mënyrë të veçante Bella Hadid, ndërsa motra e saj Gigi pati njoftuar të premten se nuk do të ishte dot e pranishme.

Për Bellën, e diagnostikuar në vitin 2012 me sëmundjen “Lyme”, kjo ishte hera e dytë që ftohej të sfilonte për gjigantin e veshjeve të brendshme, e siç tha edhe vet, këtë radhë ishte emocionalisht më e fortë për një sfidë të tillë, pasi debutimi i vitit të kaluar erdhi atëherë vetëm pak pasi ishte ndarë me të dashurin e saj.

Nuk munguan sidoqoftë as veteranet e “Victorias”, Alessandra Ambrosio, Candice Swanepoel, Lily Aldridge, Adriana Lima apo Sara Sampaio. I ftuari i veçantë i mbrëmjes ishte këngëtari Harry Styles, një prej zërave të rinj më të kuotuar të momentit.

Në mediet sociale bëri bujë të madhe rrëzimi i njërës prej modeleve, kinezes Ming Xi, që krahët e engjëllit të “Victorias” i ka mbajtur për herë të parë në vitin 2013. Shtypi i huaj e përfoli po kështu gjatë mungesën e Gidi Hadid dhe atë të Katy Perry, e ka disa raporte sipas të cilave, modeles dhe këngëtares së njohur u janë mohuar vizat.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel