Një krokodil i bardhë në Australi

21/11/2017 14:57

Një krokodil i rritur i bardhë u zbulua në territorin verior të Australisë, duke entuziazmuar jashtë mase operatorët e turizmit atje.

Reptili që mori emrin “Perla” u zbulua në lumin Adelaide, në afërsi të qytetit të Darwinit. Banorë të zonës, që nxituan ta filmojnë krokodilin e rallë, dhe aktivistë për mbrojtjen e kafshëve thanë se reptili ishte rreth 3 metra i gjatë.

Ekspertët thonë se pamja e zbehtë e krokodilit shkaktohet nga hypomelanizmi, ose sasia e paktë e pigmentit të melaninën në lëkurë.

Në vitin 2014, autoritetet në të njëjtën zonë eliminuan një krokodil të bardhë që vrau një peshkatar, e tashmë besojnë se reptili i ri ka lidhje farefisnore me të.

Ngjyra e zakonshme e krokodilëve varion nga e hirtë deri në të gjelbër dhe është thelbësore për kamuflimin e tyre. Krokodilët e bardhë nuk janë të pazakontë të vegjël, por nuk mbijetojnë dot, pasi me atë ngjyrë tradhtuese bien në sy të çdo grabitqari.

Prandaj, kur gjendet një krokodil i rritur i bardhë është një ngjarje vërtet e rrallë, pasi ka mundur të mbijetojë, pavarësisht se nuk ka një nga aftësitë kryesore të species, pikërisht kamuflazhin.

Top Channel