Në vijim të vizitës zyrtare në Maqedoni, presidenti Ilir Meta ka vizituar Manastirin, me rastin e ditës së alfabetit të gjuhës shqipe.

Meta është pritur në një takim nga kryetarja e komunës, Natasha Petrovska dhe zëvendës kryeministri Hazbi Lika.

Më pas, në fjalën e tij në eventin e mbajtur, Meta ka vlerësuar se, 22 nëntori është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore.

“Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë. Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912”, ka thënë Meta.

Pas njëqind e nëntë vjetësh, ka vijuar kreu i shtetit, shqiptarët duhet të jenë krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në radhët e gjuhëve moderne.

“Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Meta.

Në Manastir, Meta ka preferuar të dalë në këmbë në rrugët e qytetit, ku është pritur nga mijëra shqiptarë, me të cilët ka shtrënguar duart dhe ka bërë foto.

Më herët gjatë ditës Meta nderoi kujtimin e shenjtores Nënë Tereza, duke vendosur një buqetë me lule tek monumenti i saj në Shkup, si dhe duke vizituar shtëpinë e lindjes së saj.

Top Channel