Merkel preferon zgjedhje të reja. Analistët: Mund të mos kandidojë më

21/11/2017 10:44

Më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund. Disa ekspertë në Gjermani e panë me një lloj lehtësimi shembjen e bisedimeve të koalicionit, të bindur se ato që në fillim nuk ishin në rrugën e duhur dhe një qeveri e tillë, zor se do të rezistonte.

Partitë në fund nuk e gjetën gjuhën e përbashkët, edhe pse gjatë të gjithë kohës këmbëngulnin se kishin pika përputhjeje.

“Pjesa dërrmuese e gjermanëve e kanë humbur magjepsjen ndaj sistemit dhe partive politike”, thotë analisti Christian Hacke. Angela Merkel, sipas tij duhet ta dinte se nuk kishte përpara një ekip prej 4 grupimesh që shkonin në të njëjtin drejtim. Ato ishin 4 forca që lëviznin në drejtime të ndryshme.

“Që nga fillimi, Kancelarja, – thotë Hacke, – duhej t’i kishte hedhur në tryezë objektivat e dëshiruar dhe të priste pastaj sinjale nga partitë, nëse ishin dakord me të apo jo”.

Nëse presidenti gjerman do të detyrohej të shpallte mbajtjen e zgjedhjeve të reja, siç këmbëngul tani edhe ajo vet, ekziston një mundësi sipas shtypit të huaj, që Merkel të mos jetë më kandidatja e CDU-së për kreun e ekzekutivit.

E njëjta gjë ndoshta mund të thuhet edhe për udhëheqësin socialdemokrat, Martin Schulz, e mbase edhe për Horst Seehoferin e CSU-së. Të treja këto parti humbën një pjesë të mirë të elektoratit më 24 shtator.

Shumë druhen në këtë pikë se një përsëritje e zgjedhjeve mund të sjellë dhe një triumf të “AfD”-së, ndërsa mundësitë për një qeveri pakice duken realisht shumë të pakta.

Top Channel