Të mërkurën në Hagë do të jepet vendimi për ish komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladic, mbi të cilin rëndojnë 11 akuza, përfshirë ato për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë.

E për këtë rast, ish të burgosur në Bosnje Hercegovinë si edhe përfaqësues të shoqatës “Nënat e Srebrenicës|, kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë të pranishëm në seancën e shumëpritur. Ata shpresojnë që gjykata të ketë gjetur dëshmi për përgjegjësinë direkt të Mlladicit në planifikimin dhe ekzekutimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe për krimet e tjera të luftës.

Në korrik të vitit 1995, trupat e Mlladiqit hynë në qytetin e Srebrenicës, i cili ishte shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara, dhe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Gjatë luftës në Bosnje, që zgjati nga viti 1992 deri më 1995, janë vrarë mbi 100,000 njerëz. Prokurorët në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime lufte në ish-Jugosllavi thonë se Mlladic ka mbikëqyrur fushatën e vazhdueshme të spastrimit etnik kundër joserbëve në territorin e Bosnjës.

Ai akuzohet edhe për organizimin e rrethimit të Sarajevës, i cili ka zgjatur gati katër vjet. Rreth 10,000 njerëz janë vrarë në bombardime dhe nga snajperistët. Mlladiq u arrestua në vitin 2011 në fshatin Llazarevo të Serbisë, pas 16 vjetësh në arrati. Në argumentet përfundimtare, prokurorët i kanë kërkuar gjykatës ta dënojë Mlladiqin me burgim të përjetshëm. Çdo gjë më pak do të ishte e turpshme, kanë thënë ata.

 

Top Channel