F1, Williams në diskutime me Robert Kubicën

21/11/2017 16:11

Williamsi duket se nuk dëshiron më të fshihet, teksa njofton se po hyn në tratativa me Robert Kubicën për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, për momentin nuk është koha e duhur për të dhënë lajmin e pritshëm.

Skuderia britanike është kujdesur të saktësojë se momentalisht nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar mbi këtë çështje.

“Edhe pse kemi zhvilluar disa diskutime me Kubicën, mbetet ende për t’u vendosur se kush do ta zëvendësojë Felipe Massën e tërhequr nga Formula 1”, lexohet në komunikatën zyrtare të Williamsit.

Për vet pilotin polak, ëndrra për t’u rikthyer të garojë në sportin më të ndjekur të automobilizmit mbetet ende për t’u bërë realitet.

Williams do të marrë kohë, përpara se të komunikojë se cilët do të jenë pilotët e njëvendësheve të saj për sezonin e ardhshëm.

“Do të njoftojmë sapo të kemi diçka për të njoftuar, por ende asgjë nuk është parashikuar të ndodhë gjatë kësaj fundjave në Abu Dhabi”, saktëson skuderia britanike.

Këtë fundjavë, në Abu Dhabi zhvillohet edhe gara e fundit e këtij sezoni të Formulës 1, një garë sa për statistikë, pasi verdiktet e këtij sezoni janë dhënë prej kohësh: Hamilton kampion për pilotë dhe Mercedesi për konstruktorë.

Top Channel