Argjentinë, shtohen shqetësimet mbi fatin e nëndetëses së zhdukur

21/11/2017 15:05
Qirinj për 44 marinarët e zhdukur, në bazën detare të Mar del Plata

Marina e Argjentinës tha se do të shfrytëzojë avantazhin e motit të përmirësuar për të intensifikuar kërkimet për nëndetësen, që u zhduk të mërkurën në oqeanin Atlantik.

Erërat e forta dhe dallgët e larta kishin penguar ndjeshëm kërkimet për “ARA San Juan” dhe 44 marinarët në bordin e saj, gjatë ditëve të shkuara.

Autoritetet konfirmuan gjithashtu se disa zhurma e sinjale të diktuara nga anije dhe baza të ndryshme nuk kanë ardhur nga nëndetësja, për të cilën ende nuk dihet asgjë.

Nëndetësja “ARA San Juan” po kthehej nga një mision rutinë, kur raportoi një defekt elektrik. Zyrtarë të Marinës thanë se ky ishte kontakti i parafundit me nëndetësen, e në të fundit, kapiteni i saj raportoi se defekti ishte riparuar dhe gjithçka shkonte mirë.

Më pas heshtje dhe mister i plotë, pasi nëndetësja u zhduk. Në kohë paqeje, rregullorja thotë se nëndetëset argjentinase duhet të kontaktojnë dy herë në ditë me bazën, e kur telefonata e dytë nuk erdhi, Marina nisi kërkimet.

Në bordin e “ARA San Juan”, mes marinarëve të tjerë është edhe 35-vjeçarja Eliana María Krawczyk, oficerja e parë në Argjentinë që shërben në një nëndetëse.

FOTO GALERI
1/5
Nëndetësja ARA San Juan e ndërtuar në vitin 1983

Top Channel